Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Mehr ka publikuar një video 12-sekondëshe, pa datë dhe vendndodhje, që pretendohet se tregon liderin suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei.

Në pamjet e publikuara, një burrë me çallmë të zezë dhe rroba gri të çelët shihet i ulur mbi një qilim në një dhomë të mbyllur, ndërsa bisedon me persona të tjerë. Mehr e ka cilësuar videon si pamjet e para të publikuara publikisht të Mojtaba Khameneit, pa dhënë detaje se kur dhe ku është regjistruar.

Sipas NDTV World, edhe transmetuesi shtetëror iranian IRIB kishte publikuar më 20 mars një video të ngjashme, gjithashtu pa datë apo vendndodhje. Në atë rast, pamjet u prezantuan si të Mojtaba Khameneit duke dhënë mësim në shkencat fetare.

Mojtaba Khamenei u emërua më 8 mars si Udhëheqësi i tretë Suprem i Iranit. Që prej marrjes së detyrës, mediat shtetërore kanë publikuar deklarata të tij me shkrim, por kanë qenë të pakta pamjet apo regjistrimet e tij.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi këtë javë se komunikimi me Khamenein është aktualisht shumë i vështirë, megjithëse tha se kishte zhvilluar takime produktive me të.

Ndërkohë, muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se Khamenei ishte “zhdukur 90 për qind”, ndërsa mediat izraelite kanë raportuar për një gjendje të dyshuar të rënduar shëndetësore të liderit iranian.

Publikimi i videos nga Mehr duket se synon të tregojë se Mojtaba Khamenei është gjallë dhe aktiv, por mungesa e datës dhe vendndodhjes së regjistrimit nuk lejon verifikimin e pavarur se kur janë realizuar pamjet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb