Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar lidhur me situatën e News24, duke e cilësuar median si një prej zërave që vijon të raportojë mbi protestat e qytetarëve.

Në reagimin e tij, Shehaj shprehet se prej vitesh News24 është përballur me presion nga pushteti, por, sipas tij, nuk është dorëzuar.

“Prej vitesh, News24 është nën sulmin e pandërprerë të pushtetit. I janë sulur me çfarë kanë mundur, por sërish nuk ia kanë dalë ta fikin”, shkruan Shehaj.

Ai kritikon atë që e konsideron si një standard të dyfishtë ndaj mediave, duke argumentuar se ata që mbështesin pushtetin shpërblehen, ndërsa mediat dhe zërat kritikë përballen me presion.

“Kjo është mënyra si funksionojnë regjimet, ata që i shërbejnë pushtetit shpërblehen, ndërsa ata që i kritikojnë kanë gjithë shtetin nga pas”, shprehet ai.

Sipas Shehajt, një situatë e tillë është e papranueshme për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Duke iu referuar protestave, deputeti thekson se prej 71 ditësh “News24” vijon të transmetojë atë që ai e cilëson si “qëndresën e jashtëzakonshme të qytetarëve”.

REAGIMI I PLOTË

Prej vitesh, News24 është nën sulmin e pandërprerë të pushtetit. I janë sulur me çfarë kanë mundur, por sërish nuk ia kanë dalë ta fikin.
Kjo është mënyra si funksionojnë regjimet, ata që i shërbejnë pushtetit shpërblehen, ndërsa ata që i kritikojnë kanë gjithë shtetin nga pas.
Ky është një standard i papranueshëm për një vend që pretendon të bëhet pjesë Bashkimit Europian.
Prej 71 ditësh, News24 është media që transmeton çdo ditë qëndresën e jashtëzakonshme të qytetarëve në protestë.
Në një kohë kur shumë janë rreshtuar me pushtetin e të tjerë zgjedhin heshtjen, të tregosh atë që ndodh në shesh është akti më i rëndësishëm i gazetarisë. Sepse gazetaria nuk mund të jetë zëri i pushtetit të korruptuar, por i qytetarëve të lirë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: