Të paktën 26 persona kanë humbur jetën pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë që goditi të hënën Kolumbinë perëndimore, sipas autoriteteve lokale.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti u regjistrua në orën 07:34 me kohën lokale (12:34 GMT), në një thellësi prej rreth 107 kilometrash. Epiqendra ishte pranë San José del Palmar, në rajonin Chocó.

Lëkundjet e fuqishme u ndjenë në pjesën më të madhe të Kolumbisë, si dhe në vendet fqinje Venezuelë, Ekuador dhe Panama.

Tërmeti ka shkaktuar dëme edhe në infrastrukturën aeroportuale. Autoriteti i aviacionit civil, Aeronáutica Civil, njoftoi pezullimin e operacioneve në disa aeroporte për arsye sigurie, pas raportimit të dëmeve në Pereira, Manizales, Quibdó, Armenia, Cartago dhe Buenaventura.

Ndërkohë, operacionet në aeroportin e Popayán janë pezulluar për shkak të pranisë së hirit nga vullkani Puracé.

USGS ka publikuar gjithashtu hartën e lëkundjeve, e cila tregon se dridhjet nga tërmeti u përhapën në një zonë të gjerë, me intensitet nga të forta deri në shumë të forta.

Autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve dhe operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa priten të dhëna të reja për bilancin e viktimave dhe dëmeve materiale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb