Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se është tërhequr nga paralajmërimet për veprime të menjëhershme ushtarake kundër Iranit. Pavarësisht tensioneve të vazhdueshme për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, Uashingtoni synon të përdorë presionin ekonomik si mjet kryesor për ta detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje paqeje.

Në një bisedë telefonike për portalin e lajmeve Axios, Trump deklaroi se SHBA po vepron me përmbajtje ndërsa po ndjek nga afër përkeqësimin e situatës financiare në Iran.

“Po e mbajmë me tone të ulëta. Ne vetëm po negociojmë pjesërisht me ta. Thjesht po e vëzhgojmë Iranin me inflacionin e tij të madh dhe faktin që nuk kanë para. Do të rregullohet. Gjithmonë rregullohet. Është si një lojë shahu,” u shpreh Trump.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, bllokada detare e SHBA-së e ka përkeqësuar krizën financiare për qeverinë iraniane, duke e bërë të pamundur edhe pagesën e trupave të saj ushtarake. Ai shtoi se me rënien e çmimeve të naftës, qytetarët amerikanë po e ndiejnë më pak barrën e këtij konflikti jopopullor.

Deklaratat e fundit vijnë pas një postimi në rrjetin e tij Truth Social, ku Trump pretendoi se SHBA-ja ishte “e armatosur dhe gati për luftë” me një fuqi ushtarake të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, ai sqaroi se kishte vendosur të shtynte sulmet me kërkesë të Iranit dhe vendeve të rajonit, pasi po dakordoheshin parametrat e një marrëveshjeje.

Kushtet kryesore të vendosura nga Uashingtoni përfshijnë:

Hapjen e menjëhershme dhe të plotë të Ngushticës së Hormuzit;

Përfundimin e plotë të kërcënimit bërthamor iranian.

Nga ana tjetër, burime ushtarake në Iran kanë mohuar pretendimet e Trumpit se Teherani i ka kërkuar SHBA-së të abstenojë nga sulmet e reja. Dega ushtarake elitare e Iranit (Rojet Revolucionare) deklaroi se rruga detare e Ngushticës së Hormuzit nuk do të rihapet derisa SHBA-ja të pranojë të gjitha kërkesat e tyre.

Ngushtica e Hormuzit mbetet pika më kritike e këtij konflikti, pasi përmes saj para nisjes së përplasjeve ushtarake kalonte rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror. Mbyllja e këtij kalimi po përdoret nga Teherani si karta kryesore negociuese përballë presionit amerikan.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb