Seanca paraprake për Valter Lavitola-n, i arrestuar të hënën nën akuzën se ka nxitur sulmin ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci, është planifikuar të mbahet mëngjesin e së mërkurës në burgun e Rebibbia-s, në Romë.

Lavitola dyshohet se ka qenë i përfshirë në organizimin e sulmit ndaj Ranucci-t, pranë Romës, më 16 tetor të vitit të kaluar.

Prokurorët e Drejtorisë Antimafia (DDA) në Piazzale Clodio kërkojnë që ndaj tij të merret në konsideratë edhe rrethana rënduese e përdorimit të metodave mafioze.
Ndërkohë, Gomes Clesio Tavares, shtetas kamerunas dhe punëtor i Lavitola-s, vijon të jetë në gjendje të lirë. Sipas hetuesve, ai dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës me grupin kriminal që vendosi pajisjen shpërthyese pranë banesës së Ranucci-t në Pomezia.

Tavares besohet se ndodhet aktualisht në Afrikë. Sipas informacioneve të raportuara, prokurorët italianë pritet të nisin procedurat për kërkimin e ekstradimit të tij në Itali, në mënyrë që të përballet me hetimet lidhur me sulmin.

Ngjarja ka ngritur shqetësim të madh në Itali, për shkak të objektivit të sulmit, gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, i njohur për punën e tij në emisionin televiziv “Report”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb