Ekipet e kërkim-shpëtimit në Kolumbi po punojnë pa pushim mes ndërtesave të shembura, në një garë me kohën për të gjetur personat që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.4.
Më shumë se 60 ndërtesa në zonën e epiqendrës janë shembur plotësisht, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet. Deri tani raportohet për të paktën 224 të vdekur, ndërsa mijëra persona rezultojnë të zhdukur.
Familje të shumta kanë nisur kërkimet për të afërmit e tyre përmes rrjeteve sociale dhe platformave online, pasi kanë humbur kontaktet me ta pas lëkundjeve të fuqishme. Deri të hënën në mbrëmje, rreth 3 mijë persona ishin raportuar të zhdukur.
Tërmeti goditi provincën Chocó, rreth 400 kilometra nga Bogotá, por lëkundjet u ndjenë në një pjesë të gjerë të Kolumbisë Perëndimore, si dhe në Venezuelë, Ekuador dhe Panama.
Presidenti kolumbian ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të përshpejtuar fondet dhe masat e rimëkëmbjes. Ai ka vizituar zonën e prekur dhe ka urdhëruar mobilizimin e strukturave ushtarake dhe policore, përfshirë inxhinierë, ekipe shpëtimi dhe qen të trajnuar për kërkimet nën rrënoja.
Ndërkohë, autoritetet po ofrojnë ndihmë financiare dhe materiale për familjet që kanë humbur shtëpitë, ndërsa disa shtete kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Kolumbinë në përballimin e pasojave të katastrofës.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa ekipet në terren shpresojnë të gjejnë të mbijetuar mes rrënojave.
