Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave të shumta në rrjetet sociale lidhur me deklaratat e tij të fundit për Serbinë dhe Kosovën, duke iu përgjigjur ashpër kundërshtarëve të tij në Prishtinë.

Rama tha se e konsideron “ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës” si një lloj laboratori për të matur saktësinë e qëndrimeve të tij kur flet për Serbinë.

Sipas kryeministrit, sa herë që këto grupe reagojnë me kritika ndaj tij, ai e sheh këtë si një tregues se ka përmbushur detyrën e tij në raport me Shqipërinë, Kosovën dhe bashkëpunimin rajonal.

Duke iu referuar reagimeve pas deklaratës së tij se “Serbia e humbi Kosovën”, Rama tha se kritikat e fundit e kanë rikonfirmuar në qëndrimin e tij. Ai argumentoi se kjo deklaratë ishte pjesë e ndërhyrjes së tij në debatin mes autoriteteve shqiptare dhe atyre serbe për çështjen e lumit Ibër.

  • foto galeri

Rama theksoi gjithashtu se qëndrimi i tij ndaj asaj që e cilësoi si provokim të Serbisë ishte i qartë dhe se ndërhyrja e tij ishte përshëndetur edhe nga deputetja britanike Alicia Kearns, e njohur për qëndrimet e saj në mbështetje të Kosovës.

“Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt”, shkroi Rama, duke shtuar se kjo deklaratë është e pakëndshme si për nacionalistët në Beograd, ashtu edhe për ata në Prishtinë.

Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës

Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal

Edhe dje laboratori ka funksionuar perfekt, me trollat që u lëshuan për të më rikonfirmuar si tradhëtar pse thashë Serbia e humbi Kosovën, përgjatë ndërhyrjes sime në debatin dinjitoz të ditëve të fundit mes autoriteteve tona dhe atyre të Serbisë, për paprekshmërinë e lumit Ibër.

Pra qëndrimi im ka qenë preciz përderisa në krejt atë ndërhyrje shteruese – që u përshëndet edhe nga vetë deputetja britanike Alicia Kerns, një flamurtare e flaktë e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar – baza e turbofolkut nacionalist në Prishtinë gjeti të kapet pas një fjalie të vetme për të mos lejuar ai qëndrim i qartë kundër provokimit të Serbisë të “hutonte” fansat e turbofolkut

Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt, sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb