Një lokal nate në plazhin e Potamit, në Himarë, është zbuluar se ishte përshtatur për shitjen e lëndëve narkotike. Policia ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Late-night”, duke arrestuar pronarin e subjektit dhe një prej punonjësve.

Në pranga kanë rënë pronari, M. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe banakieri A. Gj., 20 vjeç, banues në Lazarat.

Gjatë kontrollit fizik të 20-vjeçarit, policia gjeti 5 doza të dyshuara kokaine dhe 8 doza të dyshuara Cannabis Sativa. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e pronarit të lokalit u sekuestruan 145 doza të dyshuara kokaine, një peshore elektronike dhe një armë sportive tip pistoletë, të cilën 33-vjeçari dyshohet se e posedonte pa leje.

Në total, në kuadër të operacionit u sekuestruan **150 doza kokaine, 8 doza cannabis, një armë sportive, dy celularë dhe një peshore elektronike.

Operacioni u zhvillua pas administrimit të informacioneve operative se në lokalin e natës në Potam shiteshin lëndë narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë ndërhynë në subjekt dhe bënë arrestimet në flagrancë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb