Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Rama thekson se qëndrimi i Ukrainës për Kosovën nuk duhet të ndryshojë mbështetjen e Shqipërisë ndaj popullit ukrainas dhe të drejtës së tij për liri.

“Liria nuk funksionon me kthim shpërblimi. Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe për një paqe të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një favor që shkëmbehet me një favor, por është ajo që je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të rrëmujshme”, shkruan Rama.

Kryeministri nënvizon se Shqipëria, duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, duke ruajtur njëkohësisht qëndrimin e saj për Kosovën.

“Ukraina mund të jetë, dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme. Të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh për Europën dhe për veten tonë gjithashtu. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë”, vijon Rama postimin e tij.

Reagimin e tij, kryeministri e mbyll me një mesazh në mbështetje të Ukrainës: “Ukrainë e lirë. Sot, nesër dhe gjithmonë.”

Deklarata e Ramës:
Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zëshëm në Tiranë dhe Prishtinë nisën të bënin llogaritë gjeopolitike: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të ndalojmë së mbështeturi një popull të lirë dhe së vajtuari për ata që janë bombarduar. Më të papërgjegjshmit prej tyre na sulmuan pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë! Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk funksionon me parimin “më jep, të të jap”.

Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris sapo viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një favor që këmbehet me një favor tjetër, por është ajo çfarë je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të rrëmujshme.

Dhe fatmirësisht, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që llogarit se kush i detyrohet kujt, por është Evropa e Ballkanit që tregon rrugën përmes besimit të saj te liria, demokracia dhe paqja, si dhe përmes forcës së shembullit të saj.

Ukraina mund të jetë, dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme. Dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Evropën dhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të qëndrojnë fare mirë në të njëjtën fjali.

Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë.

Pra, po! RROFTË UKRAINA E LIRË! Sot, nesër dhe përgjithmonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb