Në Njësinë Administrative Libonik ka nisur procesi i konsultimit publik për reformën e re administrativo-territoriale, ku Bashkia Maliq propozohet të bashkohet me Bashkinë Korçë.
Takimi i parë me banorët u zhvillua nga Këshilli Bashkiak Maliq, në kuadër të konsultimeve që do të zhvillohen në të gjitha njësitë administrative.
Pjesëmarrja ishte e kufizuar, ndërsa diskutimi u shoqërua me qëndrime të ndryshme nga banorët e pranishëm.
Vetë kryetari i Këshillit Bashkiak Maliq u shpreh kundër bashkimit me Korçën, duke argumentuar se ruajtja e një bashkie më vete do të garantonte që shërbimet të mbeten më pranë qytetarëve.
Në Libonik, banorët u ndanë në qëndrimet e tyre. Disa shprehën kundërshtimin ndaj bashkimit, duke vënë në pikëpyetje ndikimin që një bashki më e madhe do të kishte te shërbimet dhe komunikimi me administratën.
Ndërsa një pjesë tjetër nuk e kundërshtuan bashkimin.
Pas Libonikut, konsultimet do të vijojnë në njësitë e tjera administrative të Bashkisë Maliq.
Në 20 gusht, Këshilli Bashkiak pritet të zhvillojë mbledhjen e posaçme, ku do të përcaktojë qëndrimin zyrtar për propozimin e reformës territoriale, i cili më pas do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë.
