Familja e Joan Zukos, 21-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në Korçë, ka reaguar pas ditëve të rënda që pasuan ngjarjen, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që u qëndruan pranë.

Në një mesazh të ndarë me të afërmit, miqtë dhe të njohurit, familjarët falënderojnë të gjithë personat që kanë përcjellë ngushëllime dhe kanë ofruar mbështetje pas humbjes së të riut.

Familja thotë se prania, fjalët e ngushëllimit dhe mesazhet e shumta u kanë dhënë forcë në një prej momenteve më të vështira të jetës së tyre. Sipas tyre, reagimi i njerëzve tregoi edhe një herë dashurinë dhe respektin që Joani kishte fituar gjatë jetës.

“Joani ynë u largua padrejtësisht dhe shumë herët, duke lënë pas një boshllëk që asgjë nuk mund ta mbushë. Por buzëqeshja, mirësia, dashuria dhe shpirti i tij i bukur do të jetojnë përgjithmonë brenda nesh”, shprehet familja.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 gusht në Korçë, ku 21-vjeçari u qëllua me armë zjarri. Për ngjarjen është arrestuar Kristjan Sterjo, 20 vjeç, i cili dyshohet se ishte shok i viktimës.

Në mesazhin e tyre, familjarët shprehen se dhimbja për humbjen e Joanit është e pazëvendësueshme, por kujtimet dhe dashuria e njerëzve për të do të mbeten gjithmonë pjesë e familjes.

Reagimi i plotë:

Në këto ditë dhimbjeje të pafund, duam të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë familjarët, të afërmit, miqtë, shokët dhe të njohurit që na qëndruan pranë por dhe te gjithe ju miqte e mi qe me keni derguar nje numur te pafundem mesazhezh në humbjen më të rëndë të jetës sonë.

Prania juaj, fjalët ngushëlluese, përqafimet dhe çdo gjest dashurie e respekti për Joanin tonë na dhanë forcë në çastet kur zemrat tona ishin të copëtuara. Dashuria që i treguat dëshmoi edhe një herë se sa shumë u desh dhe sa kujtime të bukura la në zemrat e të gjithëve.

Joani ynë u largua padrejtësisht dhe shumë herët, duke lënë pas një boshllëk që asgjë nuk mund ta mbushë. Por buzëqeshja, mirësia, dashuria dhe shpirti i tij i bukur do të jetojnë përgjithmonë brenda nesh.

Me dhimbje dhe mirënjohje të përjetshme,

Familja e Joanit!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: