Mes aromës së detit dhe ritmit dinamik të ditëve verore, Green Coast riktheu për të pestin vit radhazi një prej traditave më të dashura kulturore, Panairin e Librit.
Për 4 ditë radhazi, shëtitorja buzë detit u kthye në një hapësirë të hapur leximi dhe takimi, ku pushuesit dhe vizitorët patën mundësi të zbulonin tituj të rinj, të riktheheshin te autorët e tyre të preferuar dhe ta bënin librin pjesë të natyrshme të pushimeve.

I organizuar nga Green Coast në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Albas” dhe shkrimtaren Rita Petro, panairi solli një përzgjedhje të larmishme titujsh nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj, libra për grupmosha të ndryshme, si edhe botimet më të kërkuara të momentit.

Edicioni i pestë erdhi nën konceptin “Pages of the Coast”, me një identitet të ri dhe një frymë më romantike, të frymëzuar nga takimi i librit me detin. Përgjatë shëtitores, stendat e librave u bënë pjesë e peizazhit veror dhe krijuan një atmosferë ku leximi, pushimi dhe bisedat rreth letërsisë ndërthureshin natyrshëm.

Interesi ishte i lartë si nga pushuesit shqiptarë, ashtu edhe nga vizitorët e huaj, të cilët gjetën një përzgjedhje të pasur titujsh në gjuhën angleze. Një kënd i veçantë iu kushtua lexuesve më të vegjël, me libra të përshtatur për grupmosha të ndryshme, duke e kthyer panairin në një eksperiencë tërheqëse për të gjithë familjen.

Këtë vit, ky aktivitet kulmoi me mbrëmjen poetike të organizuar për herë të parë në Green Coast Hotel MGallery Collection. Në një atmosferë të dedikuar artit dhe fjalës së shkruar, shkrimtaret e mirënjohura Rita Petro dhe Mimoza Ahmeti interpretuan para audiences disa nga poezitë e tyre më të bukura, të frymëzuara nga deti dhe bukuria natyrore.
Vargjet u shoqëruan edhe nga zëri melodioz i Kamela Islamajt, duke krijuar një dialog emocional të poezisë me muzikën. Mes tingujve të natyrës dhe dritës së yjeve, mbrëmja i dha publikut mundësinë ta përjetonte letërsinë përtej faqeve të librit, përmes zërit të autoreve dhe tingujve muzikorë.
Me katër ditë kushtuar leximit dhe një mbrëmje ku poezia u ndërthur me muzikën, edicioni i pestë i Panairit të Librit pasuroi kalendarin veror të Green Coast me një tjetër përvojë kulturore.
