Vatrat e zjarrit në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit, vijojnë aktive edhe sot. Në terren janë angazhuar dhjetra efektivë të FA me qëllim shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e komuniteteve.
Në Lurë të Dibrës, 50 efektivë të Forcave të Armatosura po vijojnë operacionin, të mbështetur nga dy avionë dhe një automjet zjarrfikës i FA. Sipas të dhënave të fundit, situata po monitorohet në terren dhe aktualisht banesat nuk rrezikohen nga zjarri.
Ndërkohë, në Malin e Dajtit, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, së bashku me dy helikopterë të Forcës Ajrore, po punojnë për shuarjen e vatrave aktive.
Vatra në aksin Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe vijon të monitorohet nga strukturat në terren. Edhe në këtë zonë, zonat e banuara nuk paraqiten aktualisht të rrezikuara.
Forcat e angazhuara vijojnë operacionet për neutralizimin e plotë të vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
