Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka shkëmbyer disa mesazhe me një person që pretendonte të ishte Susie Wiles, shefja e stafit të Presidentit amerikan Donald Trump.
Rasti, i raportuar fillimisht nga Politico, ngre shqetësime për sigurinë, ndërsa Downing Street ka refuzuar të komentojë, duke deklaruar se nuk diskuton çështje të sigurisë kombëtare.
Sipas burimeve të cituara nga “Politico”, Burnham komunikoi me personin që paraqitej si Wiles përpara se të dyshonte se bëhej fjalë për një mashtrim. Mësohet se u shkëmbyen vetëm disa mesazhe dhe nuk pati asnjë telefonatë mes tyre.
Burimet thanë se nuk u shkëmbyen mesazhe me rëndësi dhe se komunikimi u raportua shpejt tek autoritetet përkatëse pasi u konsiderua i dyshimtë.
Rasti vjen në një kohë kur Susie Wiles është përballur më parë me tentativa për imitimin e identitetit të saj.
BBC ka raportuar se FBI hetoi një incident në maj të vitit të kaluar, kur persona të paidentifikuar përdorën listën e kontakteve të Wiles për t’u dërguar mesazhe zyrtarëve të lartë amerikanë.
Në shënjestër të këtyre përpjekjeve ishin senatorë, guvernatorë dhe drejtues të kompanive të mëdha amerikane. Telefoni personal i Wiles, dhe jo pajisjet qeveritare, ishte objektivi i sulmit.
Wiles, një prej aleateve kryesore të Donald Trump, ishte gjithashtu ndër personat e shënjestruar në vitin 2024 nga një njësi spiunazhi kibernetik e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit.
Një rast i ngjashëm ishte raportuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2024, Ministria e Jashtme britanike konfirmoi se ish-sekretari i Jashtëm David Cameron kishte rënë viktimë e një telefonate mashtruese me një person që pretendonte të ishte ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko.
Cameron kishte shkëmbyer edhe disa mesazhe me imituesin, me të cilin kishte pasur komunikim për shkak të marrëdhënieve të tij të mëparshme me udhëheqjen ukrainase. FCDO vendosi të publikojë detajet e incidentit nga frika se komunikimi mund të keqpërdorej ose manipulohej.
Incidenti me Andy Burnham rikthen në vëmendje rrezikun e sulmeve përmes imitimit të identitetit të zyrtarëve të lartë, veçanërisht në komunikimet private dhe në platformat e mesazheve.
