Një nxënës i një shkolle të mesme katolike në qytetin Zamboanga, në jug të Filipineve, është qëlluar për vdekje nga një nxënës tjetër, i cili më pas i ka dhënë fund jetës, bëjnë të ditur autoritetet lokale.

Sipas kryebashkiakut Khymer Adan Olaso, sulmuesi i dyshuar kishte arritur të futej në mënyrë të fshehtë në ambientet e shkollës, duke mbajtur me vete një pistoletë të kalibrit .45.

Fillimisht, ai ka drejtuar armën ndaj një mësueseje që ndodhej e ulur në tavolinë, por nuk e ka goditur. Më pas, i dyshuari është zhvendosur në një tjetër klasë, ku ka qëlluar një nxënës. I plagosuri nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.

Mediat lokale kanë publikuar edhe pamje që dyshohet se tregojnë momentet e të shtënave. Në video duket një person që lëviz nëpër korridoret e shkollës, ndërsa në pamje shfaqet edhe tyta e armës.

Autoritetet kanë deklaruar se situata është vënë nën kontroll dhe se nuk ka më një person të armatosur aktiv në ambientet e shkollës.

Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë në institucionet arsimore në Filipine. Vetëm dy muaj më parë, një tjetër sulm me armë në një shkollë të mesme në qytetin Tacloban la të vrarë tre nxënës dhe plagosi 20 të tjerë.

Pas atij incidenti, autoritetet nisën të shqyrtojnë edhe ndikimin e përmbajtjeve të dhunshme në internet dhe në videolojërat tek të miturit. Një nga të dyshuarit ishte raportuar se luante rregullisht lojën online “Gorebox”, e cila më pas u ndalua në Filipine.

Ndërkohë, autoritetet në disa vende të Azisë Juglindore po diskutojnë masa për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e përmbajtjeve të dhunshme.

Në fillim të këtij muaji, një tjetër incident i rëndë ndodhi në një shkollë në Tajlandë, ku një adoleshent vrau tetë persona dhe më pas veten. Autoritetet thanë se ai kishte konsumuar më parë përmbajtje të dhunshme në rrjetet sociale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb