Një autobus i mbushur me turistë të huaj ka marrë flakë sot në Qafën e Kalasë, në Berat, teksa po ngjitej drejt Kalasë së Beratit.

Autobusi me targa AB 917 UE nisi të nxirrte shkëndija në pjesën e motorit. Shoferi, sapo konstatoi problemin, ndaloi menjëherë mjetin, duke bërë të mundur që 52 pasagjerët, mes tyre edhe fëmijë, të zbrisnin në kohë. Fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk ka mbetur i lënduar.

Pas shkëndijave të para në pjesën e motorit, zjarri u përhap me shpejtësi në të gjithë autobusin, i cili u shkrumbua plotësisht. Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse dhe policia, të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve.

Si pasojë e zjarrit u dëmtua rëndë dhe u shkrumbua një automjet tip Benz Fuoristradë, i cili ishte i parkuar pranë një banese. Pronari nuk arriti ta largonte mjetin në kohë.

Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në motor, ndërsa grupi hetimor po vijon veprimet për të përcaktuar shkaqet e plota të ngjarjes.

Drejtuesi i autobusit, shtetasi Ervis Dyrmani, me origjinë nga Durrësi, është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur kombësinë e turistëve që ndodheshin në autobus.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb