Tërmeti i fuqishëm që goditi Kolumbinë perëndimore më 10 gusht ka shkaktuar dëme të përllogaritura në rreth 9.57 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi paraprak të bërë publik nga Presidenti Abelardo de la Esprija.

Bilanci i viktimave është 289 të vdekur dhe 4,187 të plagosur, ndërsa 143 persona rezultojnë ende të zhdukur.

Tërmeti me magnitudë 7.4 ballë shkaktoi dëme të mëdha në rreth një të tretën e territorit të vendit. Mijëra banesa, pallate, shkolla dhe spitale u dëmtuan ose u shembën, veçanërisht në qytetet përgjatë bregdetit të Paqësorit dhe në zonat e njohura për kultivimin e kafesë.

Presidenti deklaroi se vlera e dëmeve është përllogaritur nga një kompani private dhe se shifra mund të ndryshojë ndërsa autoritetet marrin të dhëna më të plota nga zonat e prekura.

Një javë pas tërmetit, ekipet e emergjencave vijojnë punën për pastrimin e rrënojave dhe kërkimet për personat e zhdukur, megjithëse mundësitë për të gjetur të mbijetuar janë tashmë të pakta.

Tërmeti përbën edhe sfidën e parë të madhe për qeverinë e re të presidentit Abelardo de la Esprija, i cili mori detyrën më 7 gusht, vetëm tre ditë para katastrofës.

Presidenti ka urdhëruar Ministrinë e Strehimit të hartojë dhe zbatojë një plan të gjerë rindërtimi, në bashkëpunim me kompanitë e ndërtimit, institucionet financiare, kompanitë e sigurimeve, guvernatorët dhe kryetarët e bashkive.

Kolumbia ka marrë gjithashtu ndihmë ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe institucione si Banka Botërore për përballimin e pasojave të tërmetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb