Një 65-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Mirditë, pasi dyshohet se po shkaktonte qëllimisht zjarre në zonën e fshatit Gziq.
Policia e Mirditës finalizoi operacionin e koduar “Piromani”, pas një pune gjurmuese që kishte zgjatur tre ditë. Sipas uniformave blu, operacioni u bazua në informacione të siguruara në rrugë operative, sipas të cilave 65-vjeçari Pashk Marku, banues në fshatin Gziq, dyshohej se merrej me zjarrvënie të qëllimshme.
Në momentin e arrestimit, 65-vjeçari sapo kishte ndezur tre vatra zjarri në fshatin Gziq. Si pasojë, flakët përfshinë një sipërfaqe pyjore, ndërsa ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse, në bashkëpunim me efektivët e Policisë së Mirditës, bëri të mundur vënien e menjëhershme të zjarreve nën kontroll.
I arrestuari dyshohet gjithashtu si autor i disa rasteve të tjera të zjarrvënieve të ndodhura më herët në territorin e Bashkisë Mirditë.
65-vjeçari akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Ndërkohë, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rasteve të tjera për të cilat ai dyshohet si autor.
