Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në zonën turistike të Komanit, ku dy mjete lundruese të llojit skaf janë përplasur me njëra-tjetrën në afërsi të Lumit të Shalës.

Siç raportohet nga informacionet e para nga terreni, nga përplasja mes dy mjeteve dyshohet se kanë mbetur të plagosur 5 persona.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 15:15, në liqenin e Komanit, dyshohet se aksidentalisht janë përplasur 2 mjete lundruese.

Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar 5 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasit e tjerë që ndodheshin në mjetet lundruese nuk kanë pësuar dëmtime.

Shtetasit që ndodheshin në mjetet lundruese janë nxjerrë në kalatën e Komanit, me ndihmën e mjeteve të tjera lundruese.

Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb