Deti Kaspik po shfaqet si një korridor potencialisht me rëndësi logjistike në raportet ushtarake që po zgjerohen mes Rusisë dhe Iranit, teksa të dyja vendet kërkojnë të transportojnë mallra aty ku fuqia detare perëndimore nuk ka prani.
Ky korridor hap një rrugë që mund t’i mundësojë Moskës dhe Teheranit të shkëmbejnë sasi të mëdha dërgesash përmes një rrugë ujore të mbyllur nga të katër anët me tokë, ku flotat detare perëndimore nuk mund të hyjnë drejtpërdrejt.
NBC News raportoi këtë javë se kishte siguruar një dokument, të cilin e konfirmoi me një zyrtar perëndimor, që tregon se Moska tashmë po përdor Detin Kaspik për të dërguar furnizime të lidhura me ushtrinë në Iran.
Barry Pavel, ish-drejtor i lartë për politikën dhe strategjinë e mbrojtjes në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, tha se ky korridor meriton më shumë vëmendje, ndërsa dy vendet – të dyja të përfshira në luftëra dhe që janë nën sanksione ndërkombëtare – po thellojnë bashkëpunimin e tyre.
“Teksa këto dy vende afrohen me njëra-tjetrën, pritet që të rritet trafiku dhe përdorimi i këtij korridori për të transportuar gjëra në të dyja drejtimet – çfarëdo që Irani po e ndihmon Rusinë dhe anasjelltas”, i tha Pavel Radios Evropa e Lirë.
Glen Howard, president i Fondacionit Saratoga, shtoi se Kaspiku është një “lidhje jetike natyrore, e sigurt furnizimi, që funksionon në të dyja drejtimet për rusët dhe iranianët”.
Kjo linjë jetike është e mbrojtur, dhe pikërisht për këtë arsye Rusia dhe Irani e kanë zgjedhur atë.
Irani u bë një furnizues i rëndësishëm i Rusisë në luftën e saj në shkallë të plotë kundër Ukrainës, që tashmë në vitin e pestë, duke i ofruar dronë, teknologji ushtarake dhe pajisje të tjera. Irani gjithashtu e ndihmoi Rusinë të zhvillojë kapacitetet për prodhimin e dronëve Shahed, përfshirë në Zonën e Posaçme Ekonomike të Alabugës.
Tani Rusia duket se po ia kthen këtë mbështetje, teksa Irani po kërkon të rikthejë kapacitetet e shkatërruara gjatë gati gjashtë muajve të konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Dërgesa misterioze
Përmbajtja e dërgesave individuale përmes Detit Kaspik është kryesisht e panjohur dhe për këtë arsye është e vështirë të përcaktohet se sa prej këtij trafiku është tregtar, dërgesa të lidhura me ushtrinë apo përbëhet nga lëndë të para. Rruga është gjithashtu një arterie ekonomike, përmes së cilës transportohen drithëra dhe mallra të tjera mes dy vendeve.
“Thjesht nuk e dimë se çfarë ka në ngarkesat e atyre anijeve”, tha Howard. “Por, e dimë se ato janë aty. E dimë se trafiku është i madh”.
Zyrtarë të lartë të administratës amerikane, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, i thanë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni po e vëzhgon nga afër raportin më të gjerë ushtarak dhe logjistik mes Rusisë dhe Iranit dhe po monitoron sinjalet se marrëveshjet e furnizimit gjatë kohës së luftës mund të shndërrohen në infrastrukturë më të qëndrueshme.
Zyrtarët nuk pranuan të diskutonin për inteligjencën apo ngarkesa specifike dhe nuk konfirmuan spekulimet për ndihmë të jashtme për operacionet e Ukrainës në Kaspik. Ata paralajmëruan se natyra e mbyllur e Kaspikut dhe transparenca e kufizuar publike e bëjnë të vështirë përcaktimin e përmbajtjes apo qëllimit të dërgesave individuale.
Por, ata thanë se çështja po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për politikanët amerikanë, të cilët po vlerësojnë mënyrën se si Rusia, Irani dhe partnerët e tjerë po ndërtojnë rrjete furnizimi më pak të cenueshme ndaj sanksioneve, presionit detar dhe formave të tjera të presionit perëndimor.
Aspekti gjeografik është kyç. Ndryshe nga i ashtuquajturi “Ekspres i Sirisë”, që furnizonte Qeverinë e Bashar al-Assadit përmes rrugëve detare të Mesdheut dhe Bosforit, Kaspiku është një hapësirë ujore e mbyllur nga toka në të gjitha anët.
Pajisjet ruse mund të ngarkohen në porte si Olja ose Astrakhan dhe të transportohen përtej Kaspikut, duke e bërë këtë rrugë potencialisht të dobishme për dërgesa të mëdha. Transporti detar mund të ofrojë po ashtu një mënyrë relativisht diskrete për lëvizjen e mallrave.
“Mund të dërgosh sasi më të mëdha dhe gjithashtu mund ta bësh këtë në një mënyrë shumë më të heshtur”, tha Howard, duke shtuar: “Është shumë diskrete dhe e sigurt”.
“Marina amerikane nuk mund të hyjë me forcë në Kaspik”, tha ai, duke e përshkruar atë si një “bastion” të mbrojtur rus, ku forcat detare perëndimore nuk kanë qasje të drejtëpërdrejtë.
Nga ana tjetër, Kaspiku nuk është plotësisht jashtë rrezes së veprimit të Ukrainës.
Fushata e Ukrainës me sulme me rreze të gjatë veprimi kundër caqeve ushtarake dhe ekonomike ruse ka prekur gjithnjë e më shumë infrastrukturën përreth Kaspikut verior, përfshirë në Dagestan. Muajin e kaluar, Kievi goditi një anije tregtare iraniane, duke vrarë një marinar iranian dhe duke shtyrë Teheranin që të kërkojë kompensim dhe të kërcënojë se do të hakmerret./REL
