Edi Rama i opozitës dhe Edi Rama i pushtetit duket se flasin dy gjuhë të ndryshme. Kur ishte në opozitë, ai e paraqiste largimin e qeverisë si pikënisjen e domosdoshme për ndryshimin që, sipas tij, kërkonin shqiptarët. Sot, më shumë se një dekadë pasi mori drejtimin e vendit, fjalët e tij të dikurshme marrin një tjetër kuptim. Prej 84 ditësh, mijëra qytetarë vijojnë protestën në Tiranë, duke kërkuar pikërisht atë që Rama kërkonte dikur nga qeveria që kundërshtonte, largimin e kryeministrit dhe ndryshimin e pushtetit.

Edi Rama në vitin 2011: Ka një ëndërr që i bashkon të gjitha ëndrrat, ëndrra e ndryshimit. Që ëndrra e ndryshimit të fillojë të marrë krah, padyshim duhet filluar nga largimi i qeverisë që i pengon ëndrrat të marrin krah.

***

Kontrasti është i fortë. Rama i opozitës e konsideronte largimin e qeverisë kusht për t’i dhënë krah ëndrrës së ndryshimit. Rama i sotëm përballet me një protestë 84-ditore që kërkon largimin e tij nga pushteti, por refuzon dorëheqjen.

Nga politikani që premtonte se ndryshimi do të niste me largimin e qeverisë, në kryeministrin që prej vitesh mban pushtetin duke mos reflektuar përballë thirrjeve të qytetarëve, ky është një nga kontrastet më të forta të metamorfozës politike të Edi Ramës.

Dhe pyetja që mbetet është e thjeshtë: Nëse largimi i një qeverie ishte dikur rruga për t’i dhënë krah ndryshimit, çfarë e bën sot të panatyrshëm largimin e qeverisë së tij?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb