Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e kësaj të diele zonën e Nea Smyrnit në Athinë, ku një burrë dhe një grua me origjinë shqiptare janë gjetur të vdekur me plagë armë zjarri në hyrje të një ndërtese banimi.
Trupat e pajetë u zbuluan në hyrje të pallatit në rrugën “Grigoriou Kydonia” nr. 3. Viktima e seksit femër, një 45-vjeçare nga Shqipëria, pësoi plagë me armë zjarri në trup dhe në fytyrë, ndërsa burri mori një goditje vdekjeprurëse në kokë. Nga informacionet e para të mbledhura në vendngjarje, asnjë nga dy viktimat nuk rezulton të jetë banor i ndërtesës ku u gjetën të qëlluar.
Hetimi për zbardhjen e plotë të këtij krimi është marrë përsipër nga Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar (DAOE). Autoritete po vijojnë këqyrjen e imtësishme të skenës së ngjarjes për gjetjen e armës së krimit, e cila ende nuk është zbuluar, si dhe për identifikimin e plotë të viktimave dhe zbardhjen e rrethanave që i paraprinë ekzekutimit.
