Ballkani dhe Dukagjini kanë shënuar fitoret e para në edicionin 2026/27 të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.

Në kuadër të xhiros së dytë, Ballkani të shtunën pasdite e mposhti Vushtrrinë me rezultat 2:1.

Skuadra nga Suhareka dy golat e fitores i realizoi në pjesën e dytë. Mesfushori me tipare sulmuese, Giovanni, zhbllokoi rezultatin në minutën e 64-t, duke shënuar një gol të bukur nga distanca.

Golin e dytë për Ballkanin e realizoi Albin Berisha në minutën e 92-të.

Vushtrria arriti ta ngushtojë epërsinë në minutën e 94-t, kur Albijon Shurdhiqi shënoi një supergol nga distanca, por skuadra mysafire nuk pati kohë për të shmangur humbjen.

Për Vushtrrinë, e cila këtë edicion është rikthyer në Superligë, kjo ishte disfata e dytë radhazi. Në xhiron e parë, vushtrriasit ishin mposhtur nga Malisheva me rezultat të thellë 6:1.

Ndërkohë, edhe Ballkani e kishte nisur edicionin e ri me humbje, pasi në xhiron e parë ishte mposhtur nga Prishtina me rezultat 4:2.

Fitoren e parë në këtë edicion e ka regjistruar edhe Dukagjini, që në stadiumin “18 Qershori” në Klinë e mposhti Feronikelin 74 me rezultat 1:0.

Kjo ishte një ndeshje e veçantë për futbollin kosovar, pasi u zhvillua nën dritën e reflektorëve.

Golin e fitores për skuadrën klinase e shënoi Jeudi Stevenson në minutën e 18-të.

Dukagjini pas dy xhirove ka katër pikë, pasi në ndeshjen e parë kishte barazuar pa gola me Drenicën.

Për Feronikelin 74 kjo ishte disfata e dytë radhazi. Në ndeshjen hapëse të edicionit, skuadra nga Drenasi ishte mposhtur nga Gjilani me rezultat 3:1.