Greqia po përballet këtë verë me një përhapje të pazakontë të virusit të Nilit Perëndimor, me numër rastesh dukshëm më të lartë se vitet e fundit. Sipas të dhënave të Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik (EODY), deri më 19 gusht janë diagnostikuar dhe deklaruar 157 raste, ndërsa 13 persona kanë humbur jetën, me një moshë mesatare prej 82 vjeç.

Attika është epiqendra e infeksionit, ndërsa raste janë regjistruar në të paktën 31 bashki dhe shtatë të tjera konsiderohen në rrezik të lartë. Ekspertët e lidhin situatën me dimrin e butë, reshjet e shumta dhe praninë e ujërave të ndenjura, kushte që favorizojnë shumimin e mushkonjave.

Nga 157 rastet e raportuara, 116 kanë shfaqur komplikacione në Sistemin Nervor Qendror, përfshirë encefalitin, meningjitin dhe paralizën akute flacide, ndërsa 41 persona kanë pasur simptoma më të lehta ose nuk kanë shfaqur manifestime neurologjike. Në vitin 2025, në të gjithë Greqinë u regjistruan 96 raste dhe nëntë vdekje.

Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në përhapjen dhe kohëzgjatjen e virusit. Mushkonja Culex pipiens infektohet duke pickuar zogj të infektuar dhe më pas mund ta transmetojë virusin te njerëzit dhe gjitarët e tjerë. Virusi zakonisht nuk transmetohet nga personi në person.

Sipas specialistëve, rreth 80% e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa një pjesë shumë e vogël zhvillon forma të rënda që prekin sistemin nervor. Format e rënda janë veçanërisht shqetësuese te të moshuarit. Autoritetet dhe ekspertët theksojnë rëndësinë e masave parandaluese, veçanërisht kontrollit të vendeve ku grumbullohet ujë dhe programeve sistematike kundër mushkonjave. Parandalimi përfshin larvicidin, monitorimin e vendeve të shumimit dhe, kur është e nevojshme, trajtimin e mushkonjave të rritura.

Qytetarëve u rekomandohet përdorimi i repelentëve, rrjetave kundër mushkonjave, kondicionerëve dhe veshjeve që mbulojnë lëkurën. Gjithashtu, këshillohet eliminimi i ujërave të ndenjura në oborre, ballkone, kopshte, vazo lulesh dhe ambiente të tjera, pasi edhe sasi të vogla uji mund të shërbejnë si vende shumimi për mushkonjat.

Simptomat e formës së lehtë mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh e kyçesh, ndërsa në rastet e rënda mund të shfaqen temperaturë e lartë, ngurtësi e qafës, çrregullime të vetëdijes, probleme neurologjike, konvulsione dhe paralizë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: