Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka përfunduar misionin e tij trevjeçar në Shqipëri, duke i dhënë lamtumirën vendit me një mesazh të ndjerë të publikuar në rrjetet sociale.

Gonzato falënderoi shqiptarët për mikpritjen dhe kujtimet e krijuara gjatë qëndrimit të tij, ndërsa theksoi se gjatë këtyre tre viteve ka udhëtuar në të gjithë vendin dhe ka njohur nga afër realitetin shqiptar, sfidat dhe aspiratat e qytetarëve.

Ai u shpreh se, përtej vështirësive që ka hasur Shqipëria, ka parë një energji dhe vendosmëri që, sipas tij, e bëjnë të besojë në të ardhmen evropiane të vendit.

Gonzato tha se së bashku me kolegët e tij kanë punuar për të mbështetur aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, duke nënvizuar rëndësinë e institucioneve të forta e të pavarura, mbrojtjes së të drejtave dhe respektimit të diversitetit.

Në mesazhin e tij, diplomati kujtoi edhe largimin nga Shqipëria përmes portit të Durrësit, ku, siç shkruan, i tha vetes: “Do të kthehem”.

“Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri”, shprehet Gonzato, duke e lidhur rikthimin e tij me perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në fund të mesazhit, ai e përshëndeti Shqipërinë me fjalët: “Deri atëherë — mirupafshim, Shqipëri”.

“Duket sikur ishte dje kur mbërrita në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe nisa aventurën time në Shqipëri. Tre vite më pas, zemra dhe shpirti im janë mbushur me kujtimet e takimeve me njerëz të jashtëzakonshëm.
Kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, duke takuar gjatë rrugës njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë. Kam parë vështirësitë dhe sfidat, por kam parë gjithashtu energjinë dhe vendosmërinë që më bëjnë të besoj në të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Së bashku me kolegët e mi fantastikë, kemi punuar fort për t’iu përgjigjur dëshirës së Shqipërisë “për të qenë si pjesa tjetër e Evropës”, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, në një vend me institucione të forta dhe të pavarura, ku të drejtat e më të cenueshmëve mbrohen e respektohen, ku askush nuk lihet pas dhe ku diversiteti mirëpritet dhe vlerësohet.
Të shtunën, kur u largova nga porti i Durrësit, i thashë vetes: “Do të kthehem.” Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri.
Deri atëherë mirupafshim, Shqipëri”, shkruan Gonzato.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb