Pamjet e kamerave të sigurisë po ndihmojnë policinë greke të rindërtojë minutë pas minute vrasjen e 45-vjeçares Luljeta Obzova në Nea Smyrni, e cila u qëllua për vdekje nga një 48-vjeçar, i cili më pas vrau veten.

Sipas të dhënave të deritanishme, 48-vjeçari Altin Allmuça kishte mbërritur pranë pallatit në rrugën Grigoriou Kydonia dhe kishte qëndruar rreth pesë minuta duke pritur jashtë hyrjes. Kur 45-vjeçarja doli nga ndërtesa, ai iu afrua dhe të dy u futën brenda. Brenda pak sekondash, situata u përshkallëzua. Sipas pamjeve të shqyrtuara nga autoritetet, burri e sulmoi gruan dhe e goditi dy herë me shqelma, duke e rrëzuar në gjunjë.

Më pas ai nxori një revolver dhe qëlloi. Plumbi i parë nuk e goditi gruan dhe përfundoi në një dritare të hyrjes, ndërsa plumbi i dytë e plagosi për vdekje në kokë. Menjëherë pas krimit, 48-vjeçari dyshohet se e drejtoi armën ndaj vetes dhe i dha fund jetës.

Hetimi për motivin
Përtej pamjeve të kamerave, policia po shqyrton dëshmitë e familjarëve të viktimës dhe të autorit për të zbardhur marrëdhënien mes tyre dhe motivin e sulmit. Sipas informacioneve të hetimit, 45-vjeçarja i kishte treguar motrës se kishte qenë në një lidhje me një burrë, por pa i bërë të ditur identitetin. Ajo dyshohet se kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies, duke e përshkruar partnerin si xheloz dhe këmbëngulës. Gjithashtu, kishte përmendur se ishte kërcënuar prej tij.

Policia po verifikon nëse personi për të cilin kishte folur 45-vjeçarja ishte pikërisht 48-vjeçari. Në hetim është përfshirë edhe bashkëshortja e 48-vjeçarit. Ajo ka deklaruar se sjellja e tij kishte ndryshuar gjatë 18 muajve të fundit dhe se ai mungonte shpesh në shtëpi, pa i treguar arsyen. Edhe dëshmia e vajzës së tij 19-vjeçare konsiderohet e rëndësishme. Sipas informacioneve, ajo kishte dijeni për lidhjen e babait me 45-vjeçaren dhe se ai kishte planifikuar të takohej me të. Autoritetet po bashkojnë dëshmitë me pamjet e kamerave, ekspertizën mjeko-ligjore dhe provat e mbledhura në vendngjarje, në përpjekje për të përcaktuar saktësisht se çfarë i parapriu vrasjes dhe nëse sulmi ishte i planifikuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: