Një tjetër dron dhe një pajisje shpërthyese e nivelit ushtarak janë zbuluar pranë aeroportit Leipzig-Halle në Gjermani, duke rritur dyshimet për një sulm të planifikuar ndaj avionëve të mallrave.
Policia gjermane ka zbuluar më 14 gusht një dron në zonën e Kampelsketal, në një fushë pranë pjesës perëndimore të aeroportit Leipzig-Halle. Sipas raportimeve të NDR, WDR dhe Süddeutsche Zeitung, pajisja dyshohet se ishte destinuar për të goditur avionët e mallrave që transportojnë ngarkesa drejt Ukrainës, por nuk kishte funksionuar.
Në të njëjtën zonë u gjetën rreth 50 gramë Hexogen, një material shpërthyes me përdorim të gjerë ushtarak.
Zbulimi vjen pas një incidenti të 4 gushtit, kur në aeroport u gjet një tjetër dron i pajisur me eksplozivë, mes avionëve ukrainas të mallrave. Detonatori i pajisjes ishte i dëmtuar dhe, sipas hetuesve, kjo mund të ketë parandaluar shpërthimin.
Po atë natë, një avion mallrash i DHL-së u përplas me një objekt të dyshimtë që lëvizte me shpejtësi prej disa qindra kilometrash në orë. Avioni pësoi dëme të kufizuara, por gjatë hetimeve nuk u gjetën mbetje të një droni. Sipas Der Spiegel, ende ekzistojnë dyshime nëse objekti ishte vërtet një dron apo mund të kishte qenë, për shembull, një zog.
Autoritetet kanë zbuluar gjithashtu një pajisje teknike pranë pistës, në fshatin e braktisur Kursdorf, e cila mund të ketë shërbyer për kontrollin e dronëve.
Prokuroria Federale e Gjermanisë e ka cilësuar ngjarjen si një “sulm serioz ndaj infrastrukturës së transportit dhe logjistikës së Gjermanisë”. Ministri i Brendshëm Federal Alexander Dobrindt e ka përshkruar situatën si një “skenar sulmi hibrid”, duke mos përjashtuar përfshirjen e forcave të huaja.
Burime të sigurisë dyshojnë për një përfshirje të mundshme të shërbimeve ruse të inteligjencës, ndërsa Moska i ka mohuar akuzat.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar se si ishte planifikuar operacioni, kush qëndron pas tij dhe nëse incidentet e 4 dhe 14 gushtit janë pjesë e të njëjtit plan.
