Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Scheme”, duke zbardhur vjedhjen e një banese në zonën e Sharrës, ku rreth 10 ditë më parë u morën 2.5 milionë lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 mijë lekë. Në kuadër të hetimit të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Prokurorinë, janë identifikuar katër persona, të dyshuar se kanë vepruar të organizuar si grup. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë shtetasit Leonard Sinani, Kleand Tomja, Mark Hila, ndërsa A. B. është shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve në një servis automjetesh në Astir, në bashkëpronësi të A. B. dhe M. H., policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, tre krehra me 82 fishekë luftarakë, dy automjete, një motomjet dhe dy palë targa automjetesh.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e K. T. u sekuestruan një automjet dhe 55 mijë lekë, që dyshohet se kanë burim kriminal. Policia vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
