Dy persona janë arrestuar në flagrancë në Dhërmi, pasi dyshohet se shisnin lëndë narkotike. Gjatë operacionit të koduar “Ruloti”, policia sekuestroi rreth 150 doza të dyshuara kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe një automjet.

Operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas administrimit të informacionit për një rast të dyshuar të shitjes së lëndëve narkotike në Dhërmi.

Në pranga përfunduan F. B., 31 vjeç, banues në Fier, dhe E. K., 27 vjeç, banues në Vlorë.

Dy të arrestuarit u kapën pranë një beach bar-i në fshatin Dhërmi, ndërsa dyshohet se posedonin doza kokaine dhe kanabisi me qëllim shitjen e tyre.

Në vijim të kontrolleve, policia gjeti lëndë të tjera të dyshuara narkotike në automjetin e 31-vjeçarit dhe në rulotin ku ai qëndronte.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 150 doza të dyshuara kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe automjeti.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa dy personat akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: