Një tentativë për shitjen e një arme zjarri është goditur nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Price”. Blutë kanë ndërhyrë pas marrjes së informacionit se një person po udhëtonte nga Kruja drejt Tiranës, duke transportuar një armë zjarri me qëllim shitjen e saj.
Në kuadër të operacionit, në zonën e “Kthesës së Kamzës”, u ndalua automjeti me të cilin lëvizte N. D., 26 vjeç, banues në Krujë.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë, e cila dyshohet se ishte siguruar dhe po transportohej drejt Tiranës për t’u shitur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti me të cilin lëvizte 26-vjeçari dhe telefoni i tij celular.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
