Një 45-vjeçar është proceduar penalisht pasi dyshohet se ka kanosur dhe fyer disa gazetarë gjatë një proteste përpara Bashkisë Maliq.
Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit A. A., 45 vjeç, banues në Libonik, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Fyerja”.
Ngjarja ndodhi gjatë protestës së organizuar nga 45-vjeçari përpara Bashkisë Maliq, në kundërshtim me shkrirjen e bashkisë. Sipas policisë, gjatë protestës ai ka kanosur dhe fyer katër gazetarë, të identifikuar me inicialet Xh. Sh., A. B., I. R. dhe S. Xh., të cilët ndodheshin në vendngjarje për të raportuar zhvillimet për mediat ku punojnë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
