Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Universitetin “Luarasi” hyn në vitin e ri akademik me ndryshime rrënjësore strukturore, zgjerim programesh dhe marrëveshje të reja ndërkombëtare.
Dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Petrit Bara, zbardhi gjatë intervistës në News24 të gjitha risitë që presin studentët e rinj, duke filluar nga miratimi i programeve të reja e deri te përfshirja e gjuhëve të huaja në kurrikulë.
Një nga lajmet kryesore të njoftuara nga dekani lidhet me dritën jeshile të dhënë nga autoritetet arsimore për ciklin e ri të studimeve. “Sivjet kemi një lajm shumë të mirë sepse gjej rastin të përshëndes Ministrinë e Arsimit që na solli në kohë miratimin e Masterit Shkencor për Mjekësinë. Dje na ka ardhur shkresa zyrtare. Ky është një bonus i madh për fakultetin tonë. Kemi pasur masterin e integruar në Stomatologji dhe Farmaci, tani u bë edhe Mjekësia, e tashmë ‘Luarasi’ ka brenda një mini-universitet më vete siç është Fakulteti i Shkencave Mjekësore,” deklaroi Bara.
Fakulteti po tërheq me shpejtësi edhe vëmendjen e studentëve ndërkombëtarë përmes programeve të veçanta. “Kemi hapur programin Bachelor në Infermieri në gjuhën angleze, ku kemi frekuentim dhe interesim të lartë nga jashtë vendit, si Turqia, Italia e të tjerë. Pra, një kontingjent të infermierisë e kemi të huaj,” tha dekani.
Përveç kësaj, një risi absolute mbetet integrimi i gjuhës gjermane në kurrikulë për të gjithë ata që përfundojnë bachelorin në mjekësi. “Kemi vendosur gjuhën gjermane si mjet me një pedagog shumë të kualifikuar, ku studentët dalin edhe me gjuhën gjermane në nivelin B. Kjo ka shumë vlerë. Studentët nuk kanë pse të regjistrohen në vende të tjera, sepse tek ne i gjejnë të gjitha në një vend: gjuhën shqipe, angleze dhe gjermane.”
Duke ndaluar te cilësia e mësimdhënies, Prof. Dr. Petrit Bara bëri me dije se stafi ka pësuar një filtrim të rreptë: “Para pak kohësh bëmë një reformim të kontrollit të disa pedagogëve që mund të kishin shmangie jashtë profilit apo titujve. Tashmë ato defekte janë rregulluar dhe kemi sjellë figura të reja e profesorë të shquar.”
Lidhur me anën praktike, dekani sqaroi se procesi mësimor do të zhvillohet në qendrat më të mëdha spitalore në vend dhe jashtë tij. “Praktikat i zhvillojmë në QSUT, që është qendra më e madhe e shëndetësisë shqiptare, ku kemi rekrutuar disa pedagogë të jashtëm që mirëpresin studentët tanë. Po ashtu, kemi marrëveshje me Spitalin e Traumës, Maternitetet dhe Poliklinikat e Tiranës, gjë që zgjidh drejtpërdrejt edhe punësimin e studentëve. Ndërkohë, kemi rinovuar kontratat me partnerët në Gjermani, ku studentët tanë shkojnë bëjnë praktikat atje dhe kthehen sërish në Shqipëri.”
