Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mesditën e sotme në aksin kombëtar Peqin-Elbasan, duke lënë të plagosur drejtuesin e njërit prej automjeteve të përfshira në përplasjen.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës në fshatin Lazarej, Njësia Administrative Përparim, në territorin e Bashkisë Peqin. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa një prej automjeteve ka mbetur pothuajse tërësisht i shkatërruar në pjesën e përparme. Sipas burimeve paraprake nga vendngjarja, si pasojë e aksidentit është plagosur drejtuesi i njërit prej mjeteve. Ai është transportuar për marrjen e ndihmës mjekësore, ndërsa ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet përkatëse të policisë rrugore, ndërsa autoritetet po punojnë për të dokumentuar rrethanat e aksidentit.

Deri në këto momente nuk ka një informacion zyrtar mbi shkaqet e përplasjes, numrin e plotë të personave të përfshirë apo pasojat e tjera të mundshme. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb