Sot shënohet dita e 91-të e protestës qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen në Tiranë me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshimin e sistemit politik.
Protesta vijon pas 90 ditësh të njëpasnjëshme mobilizimi qytetar, gjatë të cilave protestuesit kanë marshuar nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë dhe kanë përcjellë mesazhe kundër qeverisë.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e Edi Ramës, ndërsa në platformën e tyre përfshihet edhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor dhe ndryshimi i kursit politik në vend.
Në protestën e mbrëmshme, qytetarët marshuan në rrugët e kryeqytetit me thirrje si “Ndryshim sistemi! Revolucion!”, “Arrestoni Ramën dhe Ballukun!” dhe “Shqipëri e rinisë, jo e partisë!”, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Edhe pas 90 ditësh, protestuesit vijojnë ta cilësojnë lëvizjen si një revoltë qytetare kundër klasës së vjetër politike. Gjatë protestës së 90-të, pankartat e tyre përcollën edhe mesazhin “90 ditë, një kërkesë: llogaridhënie”, ndërsa organizatorët paralajmëruan se protesta do të vazhdojë.
Dita e 91-të pritet të vijojë me mbledhjen e qytetarëve në shesh dhe marshimin në rrugët e Tiranës, ndërsa protestuesit kërkojnë që presioni qytetar të vazhdojë deri në një ndryshim politik.
Ndërsa më 12 shtator është paralajmëruar protestë kombëtare, ku pritet që kësaj revolte t’i bashkohet edhe Diaspora.
