Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, u ka bërë thirrje vendeve të Gjirit Persik të identifikojnë atë që ai e cilëson si “armikun e vërtetë” dhe të forcojnë bashkëpunimin mes vendeve myslimane.

Në një mesazh të publikuar në Telegram me rastin e përvjetorit të lindjes së Profetit Muhamed, Khamenei theksoi nevojën për unitet politik dhe fetar, duke paralajmëruar se përçarjet mes vendeve myslimane mund të shfrytëzohen nga kundërshtarët e tyre.

“Uniteti musliman përballë ateizmit global është një strategji kuranore dhe një mësim themelor i Islamit autentik të Profetit Muhamed”, deklaroi ai. Khamenei iu referua në mënyrë të drejtpërdrejtë Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, duke u kërkuar qeverive të rajonit të kuptojnë, sipas tij, planet dhe synimet e kundërshtarëve të tyre. Ai bëri thirrje për bashkëpunim më të madh në fushën e sigurisë, ekonomisë, shkencës dhe zhvillimit.

Mesazhi vjen në një periudhë të vështirë për Iranin, i cili përballet me pasojat e luftës, sanksionet amerikane dhe presionin ekonomik. Presidenti Masoud Pezeshkian ka pranuar se kufizimet dhe pasojat e konfliktit kanë goditur tregtinë e vendit, me importe dhe eksporte që, sipas tij, kanë shënuar rënie të ndjeshme.

Në të njëjtën kohë, udhëheqja iraniane po forcon strukturat e sigurisë pas humbjeve të pësuara gjatë përplasjes me SHBA-në dhe Izraelin. Emërimet e figurave të njohura të Gardës Revolucionare në poste të rëndësishme janë interpretuar si sinjal i një vije më të ashpër të Teheranit. Khamenei ka argumentuar se bashkëpunimi mes vendeve myslimane është i domosdoshëm për t’i bërë ballë presioneve të jashtme, ndërsa disa vende të Gjirit vijojnë të mbajnë marrëdhënie të ngushta sigurie me Uashingtonin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb