Sindikalja e lojtarëve të NBA, NBPA, ka bërë të qartë se nuk do të pranojë që basketbollistët të mbeten jashtë përfitimeve ekonomike nga projekti i ri “NBA Europe”, i cili pritet të nisë në vjeshtën e vitit 2027. David Kelly, drejtori i ri ekzekutiv i NBPA-së, ka paralajmëruar se lojtarët duhet të kenë një pjesë nga biznesi që do të krijohet në Europë.
Sipas tij, zgjerimi i NBA-së në kontinent është një hap i rëndësishëm, por nuk mund të ndërtohet duke lënë jashtë ata që kanë krijuar vlerën dhe prestigjin e ligës. Kelly argumenton se lojtarët aktualë dhe ata që kanë luajtur më parë në NBA kanë kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e imazhit dhe vlerës ndërkombëtare të kampionatit.
Për këtë arsye, sindikalja kërkon që ata të kenë edhe një përfitim ekonomik nga “NBA Europe”. “Kemi një problem shumë serioz me këtë çështje”, është shprehur Kelly në një intervistë për “Front Office Sports”. Sipas drejtuesit të NBPA-së, nuk kërkohet domosdoshmërisht që lojtarët të marrin të njëjtën përqindje prej 51% të të ardhurave që përfitojnë aktualisht nga NBA përmes BRI-së.
Megjithatë, ai kërkon që të negociohet një shumë e drejtë dhe “me mirëbesim”. Marrëveshja aktuale kolektive mes NBA-së dhe lojtarëve skadon më 30 qershor 2030. Megjithatë, të dyja palët kanë mundësi ta ndërpresin atë më herët, me një njoftim në tetor 2028. Pikërisht në negociatat e ardhshme për marrëveshjen kolektive, NBPA synon të kërkojë ndryshime që do t’u japin lojtarëve të drejtën për të përfituar edhe nga biznesi i “NBA Europe”. Kelly ka sqaruar se deri tani nuk ka pasur negociata zyrtare me NBA-në apo me komisionerin Adam Silver.
Bëhet fjalë për bisedime paraprake, në të cilat sindikalja po paraqet shqetësimet e saj. Megjithatë, mesazhi i NBPA-së është i qartë: kur të nisë negociimi zyrtar, kjo do të jetë një nga çështjet kryesore në tryezë. Kështu, projekti ambicioz i NBA-së për të krijuar një kompeticion të ri në Europë mund të përballet me një betejë të rëndësishme me sindikatën e lojtarëve, shumë kohë përpara se “NBA Europe” të nisë aktivitetin.
