Me mbërritjen e marshimit përpara godinës së ekzekutivit, në ditën e 92-të të protestës, kanë nisur fjalimet zyrtare nga foltorja e ngritur përballë Kryeministrisë. Aktivistja Sidorela Vatnikaj i është drejtuar turmës me një apel të fortë për ndryshim rrënjësor politik dhe bashkim të qytetarëve.

Gjatë fjalës së saj, Vatnikaj nënvizoi se qëndresa tre-mujore ka provuar se qytetarët refuzojnë të pranojnë më modelin e vjetër të rrotacionit politik.

“Jemi sot në ditën e 92-të të protestës dhe thërrasim si në ditën e parë për revolucion. Ne u kemi treguar se nuk jemi të gjithë të kriminalizuar e të korruptuar dhe nuk zgjedhim më mes dy liderëve autokratikë, por zgjedhim Shqipërinë së bashku! Në 36 vjet na kanë detyruar që të zgjedhim të keqen më të vogël,” – deklaroi ajo.

Më tej, aktivistja denoncoi përpjekjet për përçarjen e lëvizjes qytetare, duke theksuar se rezistenca po vazhdon për një koncept të ri shtetformimi.

“Në këto ditë janë munduar të na bëjnë të zgjedhim mes njëri-tjetrit duke përgojuar e shpifur, por ne kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe Shqipërinë përballë propagandës e hajdutëve që kemi në krye. Kemi zgjedhur të jemi këtu për një Shqipëri të re dhe të lirë!” – përfundoi Vatnikaj nga foltorja e protestës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb