Kina ka kundërshtuar ato që i quajti “sanksione të njëanshme të paligjshme”, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan masa të reja në fillim të kësaj jave, për të prerë të gjitha burimet e mundshme të të ardhurave për Iranin.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, prezantoi gjatë së hënës paketën e sanksioneve kundër Teheranit dhe paralajmëroi se çdo angazhim ekonomik me regjimin do t’i “ekspozonte ata që janë përgjegjës ndaj shtrirjes së plotë” të fuqisë amerikane.
Kina është partneri kryesor tregtar i Iranit dhe i siguron Teheranit një “litar shpëtimi”, kryesisht përmes blerjeve të naftës por edhe me bankat, teknologjinë dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, të cilat mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe ushtarake. Kur u pyet nëse bankat kineze do të përfshiheshin tek masat e reja, Bessent paralajmëroi se “askush nuk mbetet jashtë sanksioneve të SHBA-së”. Por, duke qenë se presidenti Donald Trump pritet të takohet me homologun e tij kinez Xi Jinping në shtator, Uashingtoni do të duhet të jetë i kujdesshëm me çdo lëvizje që ndikon në lidhjet tregtare Kinë-Iran.
Bankat e mëdha të Kinës janë ende të sigurta
Paketa fillestare e sanksioneve të SHBA-së nuk synon bankat e mëdha kineze. Ajo përqendrohet tek 60 subjekte, individë dhe anije më të vogla, si në Kinën kontinentale ashtu edhe në Hong Kong, që janë pjesë e ekosistemit që mbështet “prokurimin e paligjshëm të teknologjisë bërthamore dhe raketore, operacionet kibernetike dhe rrjetet e gjenerimit të të ardhurave nga nafta”.
Kina blen deri në 90% të eksporteve të naftës iraniane, një pjesë të së cilës nëpërmjet rafinerive të vogla të pavarura, të cilat riemërtojnë naftën ose përdorin ndërmjetës për të anashkaluar sanksionet e SHBA-së.
Në maj, ministria e Tregtisë së Kinës urdhëroi bizneset vendase dhe rafineritë e vogla që të injoronin kufizimet e SHBA-së që synonin disa nga këto rafineri. Në atë kohë, Bessent tha se blerjet e naftës iraniane nga Kina përbënin “financimin e sponsorit më të madh shtetëror të terrorizmit”.
Pekini si “peshore” mes Iranit dhe rivalëve të tij
Të martën, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, tha se bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Iranit “është zhvilluar gjithmonë brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk duhet të ndërhyhet ose të ndërpritet”.
Kina mban një marrëdhënie “shkëmbimi të kushtëzuar”, ndërkohë që e paraqet paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme si dështim të politikës amerikane. Në të njëjtën kohë, Pekini projekton imazhin e një superfuqie të qëndrueshme dhe të përgjegjshme, dhe shmang përfshirjen në grupin e shteteve që SHBA-ja i akuzon si mbështetëse. Pekini gjithashtu vlerëson lidhjet e tij tregtare me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke balancuar me kujdes marrëdhëniet për të shmangur armiqësimin e rivalëve rajonalë të Iranit.
Konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme dhe paketa e sanksioneve të SHBA-së ka të ngjarë të jenë në agjendë, kur presidenti iranian Masoud Pezeshkian të marrë pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Kirgistan, i planifikuar nga 31 gushti deri më 1 shtator. SCO përqendrohet në sigurinë euro-aziatike dhe është pjesë e strategjisë së Kinës për krijimin e një rendi botëror “shumëpolar” për t’iu kundërvënë ndikimit global të SHBA-së.
Kina është “përpjekur të thellojë angazhimin e saj dhe të zgjerojë fushën e marrëdhënieve të saj me vendet e Gjirit. Nga kjo perspektivë, Irani mbetet partner i dobishëm dhe i rëndësishëm për Kinën, por nuk është i pazëvendësueshëm” – tha për DË Ëilliam Yang, analist me eksperiencë të gjatë për Azinë Verilindore, në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. “Kina përfiton në disa mënyra nga përfshirja e vazhdueshme e Uashingtonit tek siguria dhe mbrojtja rajonale dhe nuk po kërkon të zëvendësojë SHBA-në në këtë drejtim” – shtoi Yang.
A po dobësohet fuqia e SHBA-së në Lindjen e Mesme?
“Megjithatë, pengesat ushtarake amerikane gjatë luftës në Iran e kanë vënë në pikëpyetje këtë ombrellë sigurie dhe kanë ndryshuar peizazhin strategjik në Lindjen e Mesme” – tha për DË Gu Xueëu, politolog dhe drejtor i Qendrës për Studime Globale në universitetin e Bonit, në Gjermani.
“Në këtë kontekst, Pekini nuk do t’i nënshtrohet presionit të SHBA-së për të ndërprerë lidhjet ekonomike dhe tregtare me Iranin ose për të ndihmuar SHBA-në të ruajë praninë e saj në Lindjen e Mesme” – tha Gu.
Që nga nisja e luftës me Iranin në fund të shkurtit, Pekini ka bërë vazhdimisht thirrje për zgjidhje diplomatike të konfliktit. Këtë javë, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Jian, tha se strategjia e Uashingtonit për “mbytje ekonomike” nuk do të arrijë të zgjidhë krizën dhe vetëm sa do t’i shtojë më tej tensionet në Lindjen e Mesme.
“Kina nuk e miraton sjelljen agresive të SHBA-së në këtë rajon dhe është edhe më pak e gatshme të pranojë që SHBA-ja të përdorë çdo mjet në dispozicion për të penguar bashkëpunimin midis shteteve arabe dhe Kinës në fushat e energjisë, ushtrisë, shkencës, teknologjisë dhe tregtisë” – tha Gu.
Ai shtoi se Pekini nuk ka interes të zhvillojë një “betejë vendimtare” me SHBA-në në Lindjen e Mesme. “Mjafton të provokojë SHBA-në që të bëjë gabime në Lindjen e Mesme dhe t’i lejojë asaj të vazhdojë të bëjë gabime të mëtejshme, pa ndërhyrë” – shtoi ai.
Rëndësia e samitit Trump-Xi
Në vitin 2025, kur SHBA-ja u përpoq të ushtronte presion mbi Kinën përmes tarifave masive, Pekini iu kundërpërgjigj duke kërcënuar të ndërpresë furnizimin me minerale të rralla të tokës, duke e detyruar administratën Trump të tërhiqej.
Që atëherë, Donald Trump është përpjekur të stabilizojë marrëdhëniet SHBA-Kinë, përfshirë edhe samitin e profilit të lartë në Pekin gjatë muajit maj. Udhëheqësi kinez Xi do të vizitojë Uashingtonin në shtator. “Meqenëse Pekini dhe Uashingtoni janë të përqendruar në hapjen e rrugës për samitin e shumëpritur më 24 shtator, nuk mendoj se ndonjëri vend do të ndërmarrë veprime drastike ndaj Iranit, për të mos rrezikuar samitin” – tha Yang.
Nëse SHBA-ja godet kompanitë dhe bankat e mëdha kineze me sanksione, atëherë është e parashikueshme që Kina do të përgjigjet me masa ekuivalente hakmarrëse, duke ruajtur lidhjet e saj me Iranin, thotë profesor Gu. Megjithatë, ai shtoi se Pekini nuk do të “braktisë planet e negociuara me shumë mund, për një samit“. “Do t’i shohim Kinën dhe SHBA-në në një kurs përplasjeje mbi çështjen e Iranit, edhe pse ato do të angazhohen në diskutime miqësore gjatë samitit midis Xi Jinping dhe Trump” – tha Gu. /DW/
