Në “Camp Nou”, Barça-Rayo rezultoi një sfidë spektakolare, kjo edhe për meritë të ekipit të Ivan Balliut. Mbrojtësi kuqezi zbriti në fushë si titullar, qëndroi për 90-minuta, por përjetoi makthe në krahun e tij duke mbyllur ndeshjen me notën 5,3. Nga tribuna, Gabriel Jesus, afrimi më i ri i Barçës në këtë merkato vere, shijoi live show e dhuruar nga dyshja Raphinha-Yamal.

Sfida nisi “zjarr” ku pas vetëm 12 minuta, Rayo kaloi në avantazh falë një aksioni shumë të bukur sulmues, i finalizuar nga Camello. Shtatë minuta më pas, Raphinha rikthehu qetësinë në “Camp Nou” duke barazuar shifrat në 1-1. Stafetën e mori Lamine Yamal me yllin spanjoll që realizoi një super gol, i pari për këtë sezon. Në një formë fantastike u shfaq edhe Gordon, me sulmuesin anglez që është përshtatur në mënyrë perfekte me ekipin e tij të ri, ku në minutën e 51-të detyroi mbrojtësit e Rayo-s të devijonin topin në portën e tyre, ndërsa tifozët shijuan golin e tretë. Ekipi i Balliut nuk u dorëzua, me Camellon që tundi edhe një herë rrjetën duke ngushtuar shifrat në 3-2.

Gordon bëri sërish njeriun assist, ku në minutën e 71-të ftoi Raphinha-n brenda në zonë me brazilianin që kompletoi “dopjetën” e tij personale. Kapiteni po kalon një fillim sezoni fantastik ku në 3 ndeshje ka realizuar 5 gola, golashënuesi më i mirë në La Liga. Për të kompletuar “matinan” e golave mendoi Lamine Yamal, i cili në minutën e 90-të me një goditje kirurgjikale realizoi golin e dytë personal dhe të pestin për Barcelonën. Falë këtij trepikëshi, Barça merr kreun e La Liga me 9 pikë, po aq sa Real Madrid, por me golavarazh më të mirë, +10.

Pas ndeshjes, Hansi Flick nuk e fshehu gëzimin për këtë fitore, por mbi të gjitha për lojën e shfaqur nga individë si Raphinha, Lamine Yamal dhe Gordon: “Është një fillim shumë i mirë, gjë që e dëshironim. Rayo na ushtroi presion, por reagimi ynë pas golit të parë ishte shumë i mirë. Jam i lumtur për Yamal dhe për lojtarë si Raphinha e Gordon, ishin fantastik”, u shpreh Hansi Flick.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb