TIRANË – Protesta e 94-të kundër qeverisë së Edi Ramës është përshkallëzuar mbrëmjen e kësaj të marte në Tiranë, duke kaluar nga marshimi nga sheshi “Skënderbej” të bllokimi i Kryeministrisë dhe përplasje me forcat policore.

Ajo që nisi si një tubim sicc ka ndodhur edhe në 93 ditë të tjera tashmë, mori një tjetër zhvillim pasi protestuesit vendosën të ndryshojnë skenarin dhe të mos qëndrojnë vetëm në bulevard, por të afrohen te hyrjet e godinës së Kryeministrisë.

Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku përcollën mesazhet kundër qeverisë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbeti e njëjtë: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Në platformën e protestës përfshihet gjithashtu kërkesa për krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila, sipas organizatorëve, do të përgatiste vendin për zgjedhjet e ardhshme.

Pas përfundimit të fjalimeve, turma nisi marshimin nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa në rrugët e Tiranës u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe për largimin e Ramës.

Pasi mbërritën përpara godinës së ekzekutivit, protestuesit nuk u shpërndanë dhe as nuk u kufizuan vetëm në hapësirën e bulevardit. Ata u vendosën pranë hyrjeve të Kryeministrisë dhe ku Edi Rama ndodhej brenda godinës.

Protestuesit u pozicionuan përpara hyrje-daljeve, duke kërkuar që kryeministri të dilte përballë tyre.
Flamujt kombëtarë, pankartat dhe simbolet e “Revolucionit Flamingo” dominuan pamjet nga protesta, ndërsa nga turma u dëgjuan thirrje si “Rama jep dorëheqjen!”, “Arrestoni Ramën!”, “Arresto Ballukun!” dhe “Ju erdhi fundi!”.

Në një moment, protestuesit nisën të thërrisnin edhe “Këtu vendosim ne!”, duke deklaruar se nuk do të largoheshin nga hyrjet e godinës.

Përballë turmës u vendos një kordon i forcave të Policisë së Shtetit. Efektivët tentuan të krijonin një perimetër sigurie dhe të mbanin të lira hyrjet e godinës. Megjithatë, protestuesit vijuan të qëndronin në zonë dhe kundërshtuan përpjekjet për t’i spostuar.

Situata u tensionua dhe në zonë u shtua prania e forcave të policisë, ndërsa pranë Kryeministrisë u pozicionua edhe FNSH-ja, së bashku me një autobot uji. Në një moment u hodh ujë në drejtim të protestuesve, ndërsa këta të fundit vijuan qëndrimin përballë kordonit policor. Pas përplasjeve me gardhin policor, Policia e Shtetit nisi shoqërimet e para.

Numri i personave të shoqëruar arriti në rreth 10.
Qytetarët u shpërndarë në komisariatet ku mbahen personat e shoqëruar, ndërsa thërrisnin: Lironi ccunat! Lironi gocat! Lironi shqipet!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb