Jeta, karriera dhe betejat personale të Matthew Perry-t do të rrëfehen në një dokumentar të ri të Netflix, i cili do të sjellë edhe dëshmi të familjarëve dhe miqve të aktorit të njohur të “Friends”.
Seriali dokumentar me tre episode, i titulluar “The One About Matthew Perry”, do të publikohet më 27 tetor, rreth tre vjet pas ndarjes nga jeta të aktorit, i cili u nda nga jeta në moshën 54-vjeçare. Regjia e produksionit i është besuar fitueses së çmimit Emmy, Mary Robertson.
Perry u bë një prej figurave më të njohura të televizionit amerikan falë rolit të Chandler Bing në serialin kult “Friends”. Ai interpretoi personazhin nga viti 1994 deri në vitin 2004, duke u shfaqur në të 236 episodet e serialit.
Humori karakteristik, ironia dhe mënyra e veçantë e interpretimit e kthyen Chandler-in në një prej personazheve më të dashura të serialeve televizive. Por pas suksesit të jashtëzakonshëm fshihej një betejë e gjatë personale. Perry foli publikisht për problemet e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rikuperuar. Aktori u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në tetor 2023. Vdekja e tij u cilësua si një mbytje aksidentale e lidhur me efektet e ketaminës.
Matthew Perry is getting the documentary treatment at Netflix.
"The One About Matthew Perry," a three-part docuseries about the "Friends" star's life and career, will stream October 27.
Perry's sister, Mia Perry Bowick, is the key voice in the series, which also features… pic.twitter.com/rjayLde7L2
— Variety (@Variety) September 1, 2026
Motra e tij rrëfen historinë e panjohur
Një prej elementeve më të rëndësishme të dokumentarit do të jetë dëshmia e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, e cila do të flasë gjerësisht për vëllain e saj. Produksioni do të përfshijë gjithashtu materiale private nga arkivi i familjes, përfshirë fotografi dhe video që nuk janë publikuar më parë. Miq, kolegë dhe persona që kanë qenë pranë aktorit gjatë jetës dhe karrierës së tij do të ndajnë kujtime dhe histori personale, duke tentuar të sjellin një portret më të plotë të njeriut pas personazhit televiziv.
Motra e tij ka treguar se i është dashur kohë për t’u ndjerë gati për të ndarë këto kujtime. Sipas saj, qëllimi është që publiku ta njohë Perry-n përtej figurës së Chandler Bing dhe përtej betejës së tij me varësinë. Regjisorja Mary Robertson e përshkruan Matthew Perry-n si një prej komedianëve më të rëndësishëm të brezit të tij.
Përmes televizionit, filmit dhe skenës, Perry arriti të argëtonte miliona njerëz në mbarë botën. Por, sipas ekipit të dokumentarit, fama nuk tregonte gjithçka për jetën e tij. “The One About Matthew Perry” synon të tregojë edhe anën më pak të njohur të aktorit, nga vitet e para të karrierës dhe shpërthimi i famës me “Friends”, deri te vështirësitë personale, varësia dhe përpjekjet e tij për të ndihmuar të tjerët që përballeshin me probleme të ngjashme. Dokumentari pritet të jetë një rrëfim emocional për jetën dhe trashëgiminë e aktorit që për dekada bëri miliona njerëz të qeshnin si Chandler Bing.
