Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar sot në 3 shtator pas deklaratës së Ministrisë së Financave, se për pagat mund të veprohet vetëm pas miratimit nga ana e Kuvendit.

Sipas Shoqatës së Gjyqtarëve, qëndrimi i sotëm i Ministrisë së Financave bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme,  Ministria e Financave ka reaguar pas njoftimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht.

Përmes një reagimi zyrtar, Ministria e Financave sqaron se ndryshimi i pagave nuk mund të bëhet pa miratimin e Kuvendit, duke argumentuar se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese kërkon ndërhyrje dhe ndryshime ligjore.

Sipas Ministrisë së Financave, këto ndryshime duhet të miratohen nga Kuvendi përpara se të mund të zbatohet vendimi përkatës.

Në këtë kuadër, Ministria e Financave u ka dërguar një letër KLGJ-së dhe KLP-së, duke u kërkuar që të sjellin listat e pagave sipas të njëjtit format të përdorur në muajin korrik.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi i ka kërkuar ministrit të Financave Petrit Malaj që të ndërhyjë menjëherë për situatën, pas bllokimit të pagave në sistemin e drejtësisë.

Në letrën dërguar ministrit, Sadushi argumentonte se pezullimi i trajtimit financiar të gjyqtarëve cenon garancinë kushtetuese për paprekshmërinë e pagës së tyre, si dhe pavarësinë institucionale të pushtetit gjyqësor.

Kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se fakti që parlamenti nuk vepron nuk mund të përdoret si argument për pezullimin administrativ të pagave të gjyqtarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb