Prej 35 ditësh, banorët e Divjakës vijojnë protestën qytetare kundër reformës territoriale administrative, duke kërkuar ruajtjen e statusit të Divjakës si bashki.

Edhe pse në shesh numri i protestuesve është ulur ditë pas dite, banorët shprehen të vendosur për të mos e ndërprerë qëndresën. Ata thonë se synimi i tyre është të mbrojnë identitetin e Divjakës dhe të kundërshtojnë çdo vendim që, sipas tyre, cenon ekzistencën e saj si njësi e veçantë administrative.

Deri më tani, protestuesit shprehen se nuk kanë marrë një përgjigje konkrete as nga pushteti vendor dhe as nga ai qendror.

Banorët deklarojnë se do të vijojnë të dalin çdo mbrëmje në sheshin kryesor të qytetit, ndërsa kërkojnë që çështja e Divjakës të merret në konsideratë dhe të mos mbetet pa përgjigje.

Mbrëmja e 35-të e protestës u mbyll me një marshim në rrugët e qytetit, i shoqëruar me thirrje dhe slogane kundër qeverisë, administratës së bashkisë dhe kryetarit të saj.

Qytetarët paralajmërojnë se qëndresa do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, pavarësisht numrit të pjesëmarrësve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: