Tensionet në Konferencën e Kryetarëve kanë vijuar, ku opozita ka akuzuar hapur mazhorancën për shkatërrimin e parimeve kushtetuese dhe hartimin e reformave okulte. Deputetët Ina Zhupa dhe Gazment Bardhi kanë shpërthyer ndaj Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke denoncuar asgjësimin e pushtetit vendor dhe bllokimin e qëllimshëm të hetimit parlamentar për zgjedhjet e 11 majit.
Deputetja Ina Zhupa kërkoi tërheqjen e menjëhershme të mazhorancës nga drafti i njëanshëm për ndarjen e re administrative, duke e cilësuar të gjithë procesin e dëgjesave publike si një “show” të parapërgatitur që bie ndesh me normat ndërkombëtare dhe interesin qytetar. Zhupa rikujtoi pasojat shkatërruese të reformës së vitit 2014, e cila largoi pushtetin nga qytetarët dhe e kthye atë në një instrument qendror kontrolli.
“Me një plan të parapërgatitur, ju e keni dështuar reformën territoriale. Bëtë show dhe sollët një draft që bie ndesh me çdo normë, me interesin e qytetarëve dhe me standardet ndërkombëtare. Gjithçka që sollët në 2014-ën ishte rrënim, e larguat pushtetin nga qytetari. Riaktivizoni konsensusin, reforma duhet t’u shërbejë njerëzve dhe jo interesave tuaja politike,” deklaroi Zhupa.
Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, përballi drejtpërdrejt Niko Peleshin me refuzimin e përsëritur për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor mbi zgjedhjet e 11 majit. Bardhi zbuloi se prej më shumë se një muaji e gjysmë i ka drejtuar shkresa zyrtare kryetarit të Kuvendit pa marrë asnjë përgjigje, një akt i paprecedentë në historinë e parlamentarizmit.
“Prej një muaji e gjysmë ju jam drejtuar zyrtarisht për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për hetimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Nëse zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese kthehet në një sfidë për Shqipërinë tuaj ‘europiane’, atëherë ne jemi duke shkuar drejt Afrikës. Mirë që na kufizoni instrumentet kushtetuese, por të paktën zbatoni vendimet e gjykatës. Është e pakonceptueshme ajo që po bëni,” nënvizoi Bardhi.
