Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të forta ndaj ekzekutivit menjëherë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, duke e cilësuar sjelljen e qeverisë si një cenim të rëndë e të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor. Bardhi denoncoi faktin se Këshilli i Ministrave ka shmangur me vetëdije detyrimin kushtetues për të propozuar projektligjin për pagat e magjistratëve, duke fabrikuar një manovër politike që po e çon sistemin e drejtësisë drejt një kolapsi të plotë.

Bardhi demaskoi mashtrimet e kryeministrit Edi Rama, duke sqaruar se menaxhimi i fondeve buxhetore dhe propozimet ligjore që prekin buxhetin e shtetit në raport me pushtetin gjyqësor janë përgjegjësi ekskluzive e Këshillit të Ministrave. Ai nënvizoi se nisma e depozituar nga dy deputetët socialistë jo vetëm që bie ndesh me vendimin e detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese, por provon edhe paaftësinë e mazhorancës për të përllogaritur buxhetet dhe zbatuar Kushtetutën.

“Kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve diçka të pavërtetë nga kryeministri. Sot që flasim, Këshilli i Ministrave nuk e ka ushtruar detyrimin për të propozuar projektligj për pagat e magjistratëve. Nuk është detyrë e deputetëve të propozojnë çështje që prekin buxhetin e shtetit. Ligji i propozuar nga dy deputetët socialistë është në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses, pasi ata nuk kanë as aftësinë për të përllogaritur pagat e as kapacitetin për të interpretuar vendimin. Kjo papërgjegjshmëri po fut gjykatat dhe administratën në paralizë të plotë,” – deklaroi Bardhi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb