Një 67-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Krujës, pasi dyshohet se ka shkaktuar një zjarr në fshatin Zallë. Sipas policisë, zjarri është ndezur nga shtetasi I. H.(K.) në tokën në pronësi të tij, me qëllim djegien e mbeturinave bimore.
Flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në sipërfaqe të konsiderueshme toke, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Si pasojë e përhapjes së zjarrit, janë djegur pemë frutore dhe sipërfaqe toke në fshatin Zallë, si edhe në zonat përreth, përfshirë fshatin Halil dhe vendet e quajtura “Kodra e Stafukeve” dhe “Kodra e Babasve”.
Arrestimi i 67-vjeçarit u bë pas veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas njoftimit për rënien e zjarrit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit ka përsëritur apelin ndaj qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve apo poseduesve të kullotave që të mos ndezin zjarre, veçanërisht për djegien e mbeturinave në toka bujqësore apo kullota.
Sipas policisë, kjo praktikë është e gabuar dhe e dënueshme penalisht, pasi mund të shkaktojë përhapjen e pakontrolluar të flakëve dhe të rrezikojë pronën, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë menjëherë çdo person që tenton të ndezë zjarr, duke garantuar anonimat, reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.
