Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i një rasti zjarrvënieje të ndodhur më 6 korrik 2026, në vendin e quajtur “Qafa e Petës”, në fshatin Petë të Vlorës.

Në përfundim të veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. S., 52 vjeç, banues në fshatin Mallkeq. Ai u arrestua për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Sipas policisë, nga zjarri i ndezur nga 52-vjeçari u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër, si dhe pemë ulliri.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur shtetasit R. S., 62 vjeç dhe I. S., 35 vjeç, banues në fshatin Mallkeq. Ata janë përkatësisht vëllai dhe kushëriri i 52-vjeçarit të arrestuar.

Sipas uniformave blu, gjatë shoqërimit të A. S., dy shtetasit kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke penguar kryerjen e detyrës dhe më pas janë larguar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb