Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka drejtuar një kërkesë për vënien në dispozicion të audio-përgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku ky i fundit ngre dyshime për një skemë të trafikimit të armëve.

SPAK ia ka drejtuar kërkesën Syri TV, ku u bënë fillimisht publike përgjimet nga ish-numri 2 i qeverisë, Arben Ahmetaj. Lajmi konfirmohet për News24 nga burime në SPAK.

Materialet e kërkuara nga hetuesit lidhen drejtpërdrejt me regjistrimet ku përmendet biznesmeni izraelit Ron Yeffet dhe lidhjet e tij me kompaninë “Timak”. Më herët është bërë e ditur se “Timak” ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ndërmarrjen ushtarake shtetërore “KAYO”, çka ka ngritur supozime për përdorimin e strukturave publike në dobi të interesave private me mbështetje politike.

Kërkesa e SPAK-ut drejtuar medias shënon hapin e parë drejt sekuestrimit dhe administrimit zyrtar të provave me interes hetimor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb