Debati që ka shoqëruar ditët e fundit ndërtimin e Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë është ngritur mbi një pretendim kryesor: se muzeu i ri po ndërtohet në godinën historike të ish-Klubit Patriotik “Labëria”.
Por dokumentacioni i projektit, vendimet e institucioneve vendore dhe vetë pozicionimi i dy objekteve tregojnë një realitet tjetër. Godina ku po ndërtohet Muzeu Hebraik dhe ajo e Muzeut Etnografik, e lidhur historikisht me Klubin “Labëria”, janë dy ndërtesa të ndryshme.
Megjithatë, kufiri mes tyre u zbeh në rrjetet sociale dhe më pas në disa raportime mediatike, duke krijuar perceptimin se një pjesë e historisë së qytetit po zëvendësohej për t’i hapur rrugë muzeut të ri.

Dy godina, dy histori të ndryshme
Muzeu Etnografik i Vlorës ndodhet në godinën historike ku lidhet edhe veprimtaria e Klubit Patriotik “Labëria”, të themeluar në fillim të shekullit XX.
Muzeu Hebraik Shqiptar, ndërkohë, po realizohet në një objekt tjetër pranë tij, të identifikuar në dokumentacionin zyrtar si “Banesa pranë Klubit Labëria”.
Edhe dokumentacioni teknik i trajton ato si dy struktura të veçanta. Në diskutimet e Këshillit Bashkiak të Vlorës të marsit 2024, është sqaruar se Muzeu Etnografik identifikohet me skedën nr. 158, ndërsa ndërhyrja për muzeun e ri zhvillohet në objektin me skedën nr. 162.
Në të njëjtën mbledhje është bërë e qartë se godina e ish-Klubit “Labëria” nuk është objekt i transformimit në Muze Hebraik.
Afërsia fizike mes ndërtesave ka bërë që projekti të parashikojë masa për mbrojtjen dhe përforcimin e monumentit fqinj gjatë punimeve. Por kjo nuk nënkupton ndryshimin e funksionit të Muzeut Etnografik.

Si u krijua konfuzioni?
Një pjesë e debatit duket se është ushqyer pikërisht nga mënyra se si është interpretuar emërtimi “Banesa pranë Klubit Labëria”.
Në disa postime dhe raportime, fjala “pranë” praktikisht u zhduk nga narrativa dhe godina ku po ndërtohet muzeu i ri nisi të identifikohej si vetë ish-Klubi “Labëria”.
Kështu, dy objekte të ndryshme u prezantuan në publik si një i vetëm.
Pretendimi u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ku projekti nisi të paraqitej si një ndërhyrje që do të zhdukte apo zëvendësonte një simbol të historisë patriotike të Vlorës. Nga rrjetet sociale, narrativa kaloi në portale dhe media të ndryshme dhe më pas u shndërrua në një debat publik shumë më të gjerë.

Nga debati për godinën te protesta
Me shtimin e reagimeve, kundërshtimi ndaj projektit nuk mbeti vetëm online.
Në fillim të shtatorit u bë thirrje për protestë dhe një grup qytetarësh u mblodh pranë kantierit, duke kërkuar që Muzeu Hebraik të mos ndërtohej në këtë vendndodhje.
Një nga sloganet e përdorura ishte “Muze hebraik JO! Muzeu ‘Labëria’ PO!”, një formulim që e paraqiste çështjen si një zgjedhje mes dy muzeve.
Në fakt, një zgjedhje e tillë nuk ekziston: Muzeu Etnografik dhe Muzeu Hebraik janë dy institucione të ndryshme dhe ndodhen në dy godina të veçanta.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, reagoi publikisht duke sqaruar se godina historike e lidhur me Klubin Patriotik “Labëria” nuk do të kthehet në Muze Hebraik. Sipas tij, muzeu i ri po realizohet në një monument tjetër kulture, të regjistruar si “Banesa pranë Klubit Labëria”.

Debati mori më pas një tjetër drejtim
Ajo që filloi si një mosmarrëveshje rreth identitetit të godinës, gradualisht u shoqërua edhe me pretendime më të gjera.
Në disa postime në rrjetet sociale projekti u lidh me idenë e një “çifutizimi” të Vlorës apo me pretendime se hapësira të qytetit po u kalonin izraelitëve. Për këto pretendime nuk u paraqitën të dhëna që të dëshmonin ekzistencën e një procesi të tillë.
Në qarkullim u shfaq edhe pretendimi se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) po ndërtonte dy muze hebraikë, një në Vlorë dhe një tjetër në Tiranë.
Informacionet publike për projektet nuk e mbështesin këtë pretendim. Projekti i AADF-së është Muzeu Hebraik Shqiptar në Vlorë, ndërsa në Tiranë është njoftuar një projekt tjetër, “Muzeu Besa”, i lidhur me historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çfarë do të jetë Muzeu Hebraik Shqiptar?
Muzeu Hebraik Shqiptar në Vlorë synon të dokumentojë dhe interpretojë historinë e pranisë së komunitetit hebre në Shqipëri dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe hebrenjve ndër shekuj, përfshirë historitë e mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Projekti arkitekturor është hartuar nga studioja izraelite Kimmel-Eshkolot Architects, e përzgjedhur përmes një konkursi ndërkombëtar.
AADF ka angazhuar 6.5 milionë dollarë për projektin, i cili synon gjithashtu të kontribuojë në rijetësimin kulturor dhe urban të qendrës historike të Vlorës.
Ndërkohë, godina e Muzeut Etnografik ruan funksionin dhe identitetin e saj të veçantë.

Kur një fjalë ndryshon të gjithë historinë
Rasti i Vlorës tregon se sa lehtë një informacion i pasaktë mund të marrë dimensione të tjera kur kalon nga një postim në tjetrin.
Në këtë rast, dallimi mes “Klubit Labëria” dhe “banesës pranë Klubit Labëria” është thelbësor.
Humbja e një fjale – “pranë” – ndihmoi që dy godina të ndryshme të perceptoheshin si një e vetme. Mbi këtë perceptim u ndërtua më pas një narrativë që kaloi nga shqetësimi për trashëgiminë kulturore, te kundërshtimi ndaj muzeut dhe deri te pretendime shumë më të gjera që nuk mbështeten në dokumentacionin e projektit.
Debati mbi ndërhyrjet në trashëgiminë kulturore, arkitekturën apo zhvillimin e qytetit është jo vetëm legjitim, por i nevojshëm. Por ai ka vlerë vetëm kur nis nga faktet.
Dhe në këtë rast, fakti bazë është i thjeshtë: Muzeu Hebraik Shqiptar dhe ish-Klubi “Labëria” nuk janë e njëjta godinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb