Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Bradashesh-Peqin, pranë zonës së Bradasheshit, ku një person ka humbur jetën.
Sipas të dhënave paraprake, në aksident është përfshirë një automjet tip “Audi”, me targë AA 089 DJ, i drejtuar nga shtetasi me inicialet A.G. Mjeti ka përplasur një shtetas 69 vjeç, të identifikuar si Xhemal Çela, banues në Bradashesh, i cili në momentin e ngjarjes po lëvizte me biçikletë.
Përplasja ka qenë e fortë dhe 69-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda trupore. Pas marrjes së ndihmës së parë dhe trajtimit mjekësor në Spitalin Rajonal të Elbasanit, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ai është nisur drejt Tiranës për një trajtim më të specializuar.
Fatkeqësisht, Xhemal Çela ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt Tiranës, duke mos mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga aksidenti, raporton gazetari Fatmir Popja.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të dokumentuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga policia, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Paraprakisht, dyshohet se përplasja ka ndodhur teksa automjeti lëvizte në aksin Bradashesh-Peqin, ndërsa i moshuari po udhëtonte me biçikletë. Përgjegjësia dhe rrethanat konkrete të aksidentit pritet të përcaktohen nga hetimet.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin e Bradasheshit, ku 69-vjeçari ishte banor i zonës. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aksidentit tragjik.
Njoftimi i policisë
Në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, në fshatin Bradashesh, automjeti me drejtues shtetasin A. G., 18 vjeç, ka aksidentuar shtetasin Xh. Ç., 69 vjeç, i cili lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi Xh. Ç. ka humbur jetën.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. G., është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
